Dashuria kërkon shumë e jep më shumë… - Nga Dom Gjergj Meta
Nëse bota jonë ka urrejtje do të thotë se diku ajo ka mbirë, në zemrën e plagosur të dikujt dhe është përhapur, është ngjitur pas të tjerëve e të tjerëve akoma, duke krijuar kështu qytetin e urrejtjes. Ky i fundit është një qytet plot makth, i errët, me prita grabitqarësh e zvarranikësh helmues të pabesë. Është një qytet klithmash tmerruese, plot llavë përcëlluese ndaj çdo ndenje mirësie. Urrejtja është lufta, është dashakeqësia, pabesia, zemërimi e inati.
Urrejtja është ferri.
Urrejtja mposhtet vetëm nga dashuria. Vetëm banorët e qytetit të dashurisë mund të shndërrojnë qytetin e urrejtjes në një oaz plot jetë. Dashuria nuk është vetëm një ndjenjë e bukur, por edhe një rrugëtim i mundimshëm brenda njeriut, që zgjat gjithë jetën. Ajo kalon nëpër dhimbje e vuajtje. Kërkon shumë sakrificë, sepse dashuria ka një çmim të lartë. Por në këmbim jep shumë më shumë se kërkon.
Qyteti i dashurisë është një pemë e mbjellë në rrjedhën e ujit që kurrë nuk thahet. Është si lumë uji i kristaltë që kurrë nuk ndalet. E çfarë nuk do të kishte dhënë njeriu që të banonte në këtë qytet?
Dashuria është më e fortë se vetë vdekja. Ajo nuk krenohet e nuk mbahet me të madh e pa të njeriu nuk është asgjë.
Ditë të bukur!
©Dom Gjergj Meta










