Kur diplomatët trajtohen si “celebrities”: çfarë po ndodh me shoqatat shqiptare në Kanada? - Nga Ilir Lena
- Nga: Ilir Lena - Toronto
Jam në fushën e medias në Kanada qysh prej vitit 2003 dhe veçanërisht në atë të pasqyrimit të jetës komunitare të shqiptarëve, pavarësisht se nga cilat shtete/troje ata janë shpërngulur. Jam munduar të jem gjithëpërfshirës, asnjëanës dhe ç’është më e rëndësishmja, nxitës i nismave komunitare dhe atyre private me karakter kombëtar dhe kulturor. Gjithashtu, kam përkrahur dhe nxitur çdo nismë vetjake nga të vetëpunësuar, talente apo biznese që duan të krijojnë marrëdhënie me shqiptarët në Kanada. Pjesë e kronikave, reportazheve dhe bisedave televizive kanë qenë herë pas here edhe trupi diplomatik shqiptar në Kanada, sa herë që veprimtaritë e tyre apo edhe kumtet publike përkojnë me linjën editoriale të emisionit “Pasqyra Shqiptare” dhe interesin publik.
Mirëpo, nuk mund të rri dot pa shprehur një shqetësim të thellë, se vitet e fundit, disa nga drejtuesit e organizatave shqiptaro-kanadeze apo edhe individë të mediave e kanë humbur fokusin ndaj komunitetit dhe janë kthyer në vartës të ambasadorëve/konsujve shqiptarë, herë në rolin e altoparlantit, herë duke u dhënë hapësirë të pamerituar fjalimeve shterpë në veprimtaritë e tyre, herë duke promovuar figura të korruptuara të politikës shqiptare të ardhur si mysafirë në Kanada me ndërmjetësinë e trupit diplomatik, dhe ç’është më e keqja, duke dorëzuar edhe sovranitetin e organizatave (shikoni p.sh. dy posterat kur veprimtari komunitare reklamohen si veprimtari të zyrave diplomatike apo konsullore).
Do të veçoja këtu 4 shembuj mjaft domethënës që kanë nevojë për interpretim.
I pari. Para disa muajsh një pjesë e madhe e organizatave shqiptaro-kanadeze i “dorëzuan” konsullit të Kosovës dhe ambasadores së Shqipërisë tagrin e koordinatorit për krijimin e “Shtëpisë së Shqiptarit”. Ky dështim spektakolar ka nevojë për një reflektim të posaçëm, por mendova se duhej përfshirë qoftë edhe shkurtimisht në këtë shkrim.
I dyti. Në fund të muajit maj në Toronto u zhvillua “Festë n’Shesh”, që mbajti autorësinë e Konsullatës së Kosovës dhe Ambasadës së Shqipërisë, por në fakt, u sponsorizua nga bizneset shqiptaro-kanadeze dhe me një program artistik po nga komuniteti. Aktorët komunitarë, siç dukej edhe në poster, nuk kishin as logot e tyre.
I treti. Drejtuesit e organizatave komunitare, artistë dhe njerëz me peshë në komunitet, kanë krijuar një grup në WhatsApp, në të cilin nuk mungojnë as përfaqësuesit e trupit diplomatik me qëllim që të koordinojnë punët e tyre. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, para disa ditësh, nga burimet e mia, u informova se aty bëhej thirrje (dhe thirrja fillonte duke iu drejtuar edhe trupit diplomatik) që të “mbanin një qëndrim të përbashkët” ndaj një individi që, sipas autorit, cënonte imazhin e shoqatave. Pra, personi që bënte propozimin njofton edhe pushtetin se çfarë duhet bërë për të ndëshkuar një individ shqiptaro-kanadez. Kjo më kujtoi organizatat e masave në Shqipërinë diktatoriale si leva të Partisë në pushtet, të cilat përdoreshin për të linçuar cilindo që cënonte figurën e udhëheqësit, autoritetin e Partisë dhe kopshtin e begatë socialist shqiptar.
I katërti. Ambasada e Shqipërisë organizoi pas festës së Pavarësisë në vitin 2025 një takim në mjediset e Shoqatës së Torontos, në të cilin shpërndau çertifikata mirënjohjeje për rolin e tyre në veprimtaritë komunitare. Pra, ambasada falenderon/vlerëson dikë që ka kontribuar në një festë, ku vetë ajo nuk ka patur asnjë rol organizativ, por i jep vetes tagrin (me lejen dhe pjesëmarrjen e shqiptaro-kanadezëve) të vlerësojë punën e tyre.
Këto janë vetëm disa, se lista është edhe më e gjatë.
Ajo që të dhemb në shpirt është se këto janë shfaqje të një servilizmi të thellë ndaj autoriteteve shtetërore që shkon deri në adhurim. Është për të ardhur keq se edhe shumica e kolegëve të mi, e atyre që pretendojnë të jenë raportues të barazpeshuar mediatikë në komunitet, kanë rënë në këtë dalldi kolektive.
Të trajtosh diplomatët si “celebrities” është shfaqje e një kompleksi të thellë inferioriteti, dëshirë për t’u ndjerë i rëndësishëm duke e deleguar dinjitetin vetiak te një person me pushtet. Nuk e kam aspak shqetësimin tim me diplomatët, sepse, tek e fundit, ata me zell (herë-herë të tepruar) po bëjnë punën e tyre, për patronazhim apo protagonizëm, kjo nuk ka shumë rëndësi. Eprorët e tyre i duan njerëz të tillë. Kjo është natyra e shtetit i ngritur mbi një strukturë hierarkike, ku vizioni i udhëheqësit gjen zbatim nga lart-poshtë. U lumtë! U lumtë, sinqerisht dhe pa ironi, edhe për çdo arritje reale në punën e tyre të përditshme për të cilën paguhen, siç është rasti i lobimit për një linjë ajrore direkte mes Kanadasë dhe Shqipërisë, apo edhe veprimtari cilësore të organizuara nga Konsulli i Kosovës apo Ambasada e Shqipërisë me fondet e qeverive përkatëse.
Shqiptarët janë larguar nga vendet e tyre edhe sepse qeveritë tona kanë qenë të paafta, të korruptuara ose antishqiptare. Të adhurosh përfaqësuesit e tyre në Kanada do të thotë të injorosh realitetet politike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në vend që të jemi një zë opozitar ndaj çdo lloj pushteti korruptiv dhe shpopullues, ne po bëhemi palë me ta.
Uroj, por edhe shpresoj, se kushdo që ndjehet i prekur nga kjo analizë të reflektojë, të analizojë vetveten dhe të kuptojë se ndoshta e ka tepruar me sjelljen e vet publike, ose ndoshta nuk e meriton të jetë aty ku është.
© Ilir Lena - Toronto










