Kolumnist

Çfarë bëre këtë fundjavë? - Nga Rushan Xhaferi

Nga: Rushan Xhaferi - Montreal

Të hënën në mëngjes, rutina është pothuajse gjithmonë e njëjtë. Shkon në punë, takon kolegët dhe mes bisedave të zakonshme vjen pyetja klasike:

- Çfarë bëre këtë fundjavë?

Shumicën e herëve përgjigja është e thjeshtë. Pushova. Dola me familjen. Pashë një film. Bëra pazar. Gjëra normale, të zakonshme, që harrohen shpejt.

Por këtë herë, për herë të parë pas shumë kohësh, kam një përgjigje që për mua ka një kuptim më të madh.

Këtë fundjavë takova shqiptarë që nuk i njihja më parë.

Në pamje të parë nuk duket ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme. Por në një kohë kur Shqipëria po kalon një periudhë tensioni, kur fillimi i qershorit 2026 ka nxjerrë në pah pakënaqësi të thella ndaj gjëndjes politike, ekonomike dhe shoqërore, takimi me këta të panjohur më bëri të reflektoj më shumë se çdo debat televiziv apo status në rrjetet sociale.

Shpesh ne shqiptarët kemi prirjen të mendojmë se dimë gjithçka. Egoja jonë merr vrull dhe na bën të besojmë se e kuptojmë më mirë se të tjerët realitetin, politikën apo historinë. Por këtë fundjavë gjeta diçka tjetër. Mora një mësim te vlyer. Dhe mësimi ishte i thjeshtë. Nuk janë gjithmonë ata që flasin më fort ata që kuptojnë më shumë. Shpesh janë njerëzit e qetë, ata që kanë jetuar, kanë punuar, kanë sakrifikuar dhe kanë vëzhguar gjatë, ata që arrijnë të shohin më qartë se të tjerët.

Mes shqiptarëve modestë, të shqetësuar për atë që po ndodh në vendin e tyre, takova njerëz të thjeshtë me mprehtësi mendore, me maturi dhe dhunti intelektuale dhe sidomos një dinjitet të jashtëzakonshëm.

Takova një zonjë që kishte një kuptim të realitetit në Shqiperi që më la pa fjalë. Takova një familje që jeton në Montreal prej vetëm tre vitesh. Ende flisnin për Shqipërinë me mall. Ende ndiqnin çdo zhvillim politik sikur të jetonin në Tiranë.

Takova studentë që përpiqen të ndërtojnë një të ardhme larg vendit të tyre, por që nuk e kanë humbur lidhjen me atdheun.

Takova shqiptarë që do të kishin preferuar të jetonin në Shqipëri dhe jo në Kanada. Të jetonin në qytetet e tyre, pranë familjeve të tyre, rrugicave familjare, por që ndihen të detyruar të jetojnë larg, sepse politika, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës ua kanë bërë të pamundur këtë zgjedhje.

Dhe pikërisht këtu lidhet biseda me atë që po ndodh sot në Tiranë.

Revoltat e qershorit 2026 nuk kanë lindur nga hiçi. Ato nuk janë vetëm reagim ndaj një vendimi biznesi të padrejtë apo ndaj një qeverie të korruptuar (a mund të jenë qeveritë ndryshe?). Ato janë shprehja e një lodhjeje të akumuluar prej vitesh. Janë zëri i një kombi që sheh çmimet të rriten, mundësitë të tkurren dhe shpresën të largohet bashkë me avionët që mbushen çdo ditë me të rinj, familje dhe ëndrra të pambaruara. Janë klithma e atyre që nuk kërkojnë mrekulli, por thjesht mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre me dinjitet në vendlindje.

Megjithatë, ajo që më la më shumë përshtypje këtë fundjavë nuk ishte zemërimi. Ishte dashuria! Dashuria e këtyre njerëzve për Shqipërinë. Asnjëri prej tyre nuk fliste me urrejtje. Të gjithë flisnin me trishtim. Me zhgënjim. Por edhe me shpresë. Sepse në fund të fundit, askush nuk zemërohet për diçka që nuk e do.

Kur një shqiptar që jeton prej vitesh jashtë vendit vazhdon të shqetësohet për Tiranën, për Zvërnecin e panjohur, për Sazanin bosh, për studentët, por edhe për pensionistët apo për të ardhmen e vendit, kjo do të thotë se lidhja nuk është këputur. Dhe ndoshta ky është lajmi më i mirë. Sepse një vend nuk matet vetëm me qeveritë që ka. As me politikanët që e drejtojnë përkohësisht. Një vend matet me njerëzit e tij.

Këtë fundjavë takova shqiptarë që kanë ngelur shqiptarë në zemër. Njëzet histori të ndryshme. Njëzet arsye për të besuar se, pavarësisht vështirësive, Shqipëria vazhdon të jetojë në zemrat e bijve dhe bijave të saj.

Prandaj, nëse dikush më pyet përsëri të hënën se çfarë bëra këtë fundjavë, përgjigja është e thjeshtë: takova Shqipërinë.

© Rushan Xhaferi - Montréal