Kush fle me kë si shqetësim kombëtar - Nga Sebastian Zonja
Do të niste në Tiranë pak javë më parë risia opozitare e rëndësishme që do të merrte përpara si ortek kryeministrin Rama, po ashtu edhe kryeopozitarin Basha. Pyetja se me kë fle Gaz Bardhi kërkonte përgjigje.
Të gjithë heshtnin përpara kësaj pyetjeje. Askush nuk jepte përgjigje. Përgjigja e kësaj pyetjeje, që qendron në themel të krizës politike e cila ka kapluar vendin, do të zgjidhte thuajse të gjitha problemet - do të ndalte emigracionin masiv, të rinjtë e larguar do të ktheheshin në vend, oligarkia merrte fund, Berishës do t’i hiqej non-grata, Rama do të ikte për azil në Azi dhe Meta do të linte përfundimisht rakinë.
U vunë në punë media dhe hetues privatë për të zbuluar se me kë flinte Gaz Bardhi. Rebusi nuk u zgjidh. Enigma mbeti.
Stafetën e mori Kosova pas vitit të ri. Në atdheun tjetër publiku është ngërthyer nga ethet se me kë fle vëllai i Mimoza Kusarit. Larg, përtej oqanit, në Kanada, janë mobilizuar të gjitha agjencitë e rëndësishme për të zgjidhur këtë enigmë. Me zgjidhjen e kësaj enigme pritet që të rrëzohet qeveria Kurti brenda disa orësh, problemi i mungesës së energjisë zgjidhet sa hap e mbyll sytë, ndërkohë që Serbia ka thënë se do të njohë pavarësinë menjëherë sapo të zbardhet ngjarja.
S’ka qetësi, s’ka gjumë derisa të zbulohet se me kë fle Gaz Bardhi.
S’ka ndalim, s’ka lodhje derisa të gjendet se me kë është martuar vëllai i Mimoza Kusarit në Kanada.
Pse është shqetësim kombëtar kush fle me kë?
Këtë fillimvit e nisa me leximin e dy librave: “Njeriu fëmijë” i Artan Fugës dhe “Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur” nga Peter Pomerantsev. Të dy autorët thonë të njëjtën gjë: Spektakli ka fshehur realitetin.
Përfundimisht mund të themi se Shqipëria është një vend autokratik. Të gjithë treguesit janë të atillë. Na e zbukurojnë ca kur na thonë se jemi demokraci hibride. S’e pranojnë dot që një vend në zemër të Evropës të lëngojë nga varfëria e skajshme prej korrupsionit endemik. Ne e pranojmë dhe madje luftojmë që të mbajmë në pushtet, të sjellim në pushtet, shkaktarët e kësaj mënxyre. E thotë bukur Pomerantsev kur shpjegon Rusinë post-sovjetike se ajo që shihej dhe shijohej si dallgë lirie ishin veçse forma të delirit të saj.
Gjithçka është në funksion të një shoqërie piramidale, ku lideri është ai që duhet të pëlqehet nga gratë, ai që gjuan balena, vret arinj dhe ndeshet me tigra. Vetëm ai nuk duhet të kritikohet nga mediat, pa të gjithë e kanë nga një cen dhe kjo duhet të thuhet publikisht. Do krijojmë iluzionin e lirisë së shtypit, apo jo?
E keni lexuar “Shkëlqimi dhe rënia i shokut Zylo”? Uji vjen i pastër nga burimi, por është burokracia e paaftë dhe meskine që e çorodit situatën. E çfarë bëjnë liderët e burokratëve? Ata kopjojnë idhujt e tyre. Njëri, syresh, kopjon Mao Ce Dunin. Për të mundur burokracinë, ai shkon te vegjëlia dhe shpall revolucion. Komunist në thelb.
E thotë Artan Fuga te libri i tij këtë: “Propaganda ka nevojë të shpikë një armik. Nuk bën dot pa armik”.
Dhe kur e dëgjon me vëmendje gjuhën që përdorin, ajo është veçse linçuese. Tribalizëm politik. Aktorë politikë tribalë. Shtet klanor, shtet paralel, shtet tribal, mendësi diktatoriale, logjikë klanore - Baba Enveri; Baba Tito; Baba Stalini; Baba Saliu; Baba Meta; Baba Rama... dhe Nëna Shqipëri. Ndaj, shprehja e urtë popullore thotë se kush të bën nënën do e quash baba.
Ky është shqetësimi ynë kryesor kombëtar, kush fle me kë që ta quajmë Baba!
©Sebastian Zonja









