Kolumnist

Atdheu ende më takon - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja
Hezitoj të shkruaj për Shqipërinë. U bë ca kohë. Kam frikë se do të zhgënjehem sërish, siç ka ndodhur pas çdo mendimi të hedhur në rrjet e të përplasur në boshllëk, që prej ditës kur Rilindja mori pushtetin, e rimori atë e sërish e mori.
 
Hezitoj tashmë të shkruaj për atdheun tim, e kompleksuar nga një ndjenjë faji se ai tashmë nuk më takon plotësisht. Ndihem e strukur në veriun e globit, larg, shumë larg asaj cope toke që kërkojnë ta shqyejnë në çdo skaj ku pretendojnë se po e “zbulojnë”. Kam parë, vit pas viti, shitjen e vendit tim të dëshmuar e të reklamuar në emisione të drejtuara nga shërbyes të pushtetit.
 
Sot thonë se Shqipëria nuk është në shitje, kur e mjera Shqipni ka mot me krye n’hi, e pushtetarët sipër me kambë e kanë shkelë. E shoh nga distanca dhe ndiej pafuqi, edhe pse dëgjoj zëra që thërrasin, që buçasin, të zgjuar nga një gjumë i gjatë, dhe që ushqejnë ende pakëz shpresë.
 
Më vjen mirë tek shoh të njohur me pankarta në duar, si dhe njerëz që dikur lëvdonin e duartrokisnin atë që sot e përbuzin. Më gëzon zgjimi i tyre dhe më jep shpresë të besoj se diçka mund të ndryshojë. Shpresoj sa herë që shoh individë të caktuar të ndërrojnë kamp ideologjik, sepse besoj se pikërisht këta kanë nuhatjen më të mirë për rënien e një pushteti. Janë ata që turren të parët të kompleksojnë njerëzit që hezitojnë sot, njësoj siç u turrën dikur të kompleksonin ata që dyshonin më herët.
 
Në anglisht ekziston një term shaming. Në shqip mund ta quajmë turpërim publik. Është një formë kontrolli shoqëror, ku dikush përpiqet të vendosë epërsi morale ose intelektuale mbi një tjetër, duke e ekspozuar, poshtëruar apo delegjitimuar publikisht për diçka që ka thënë, menduar apo guxuar të vërë në dyshim. Turpërimi godet nevojat bazike të njeriut për përkatësi, dinjitet dhe respekt.
 
Këtë turpërim e hasa sapo hapa Facebook-un, pas disa kohësh largimi prej tij. Pashë komente të atyre që protestojnë ndaj të tjerëve që protestojnë; një garë e lodhshme për të marrë më shumë kredi morale mbi pozicionimin në protestë, për të qenë më pranë qendrës së zërit, për të vendosur kush ka të drejtë të flasë, kush është zgjuar në kohë dhe kush duhet të heshtë sepse është zgjuar vonë.
 
M’u kthye sërish dëshira të largohem prej kësaj mobokracie rrjetesh sociale dhe të strukem në atë qoshen e rehatit personal, ku hallet e kombit nuk rëndojnë mbi shpatulla dhe zëri më i lartë, më i fortë apo më i hidhur është vetëm imi.
Nuk di më si të shkruaj për Shqipërinë pa u mbushur me zemërim. Nuk di si të flas për të pa u ndier njëkohësisht larg dhe e lidhur deri në dhimbje. Nuk di si të gëzohem për një zgjim pa u trishtuar për vonesën dhe ciklin e tij. Nuk di si të shpresoj pa drojën e zhgënjimit.
 
Kam frikë se një ditë mëmëdheu nuk do të jetë më vendi i shtëpive ku u lindëm, i rrugicave ku luajtëm, i lumenjve dhe brigjeve ku u endëm lirshëm. Kam frikë se do të jetë një kujtim për disa dhe një pronë për disa të tjerë.
Dua shumë ta adresoj këtë frikë. Të përballem me të. Të gjej prova të pakundërshtueshme se ajo është joreale, t’i përplas mbi tryezë, t’i shoh mirë e mirë, e të bindem se është veç një emocion pa bazë, një merak që vjen prej mallit, mungesës, largësisë, paditurisë, mospjesëmarrjes aktive në tavën e lëvizjeve dhe gumëzhimeve shoqërore.
 
Por mësoj me dhimbje se jam e paaftë ta qetësoj këtë frikë. Prandaj, pranoj të jetoj me të. Jo si dorëzim, por si kujtesë. Si një zë i brendshëm që më thotë se, edhe nga larg, atdheu ende më takon, jo sepse jetoj atje, jo sepse zotëroj një copë tokë, jo sepse protestoj apo nuk protestoj, por sepse e dua.
 
© Jeta Dedja