Emigranti - Nga Alfons Zeneli
Alfons Zeneli
Po ikën.
I more me vete dhe statujat.
Më dërgo letër kur t`i shpirtëzosh.
Më thuaj a do ta mbajnë mend
fjalën mall kur të zgjohen.
Mos iu fol asnjë xixëllonjë prej fjale,
asnjë fjalë prej fjale
se do gjymtohen si ti tani.
A po të vijnë trishtilat e pikëllimit nga pas?
A po t`i përbirojnë brinjët, ankthet, hapat?
Se si po iken...
ashtu lyer krejt me gri dyzimesh
racionale, iracionale.
Krejt bosh
Krejt gri.
Çfarë dhimbjesh ka limani
që mëkot tund dhimbjet si shami?
Po ikën.
Pjesa ime mbeti bosh.
Zgavrave të trupit të fryn era
dhe fishkëllen
meloditë e brengave të veta.
Le pas vetëm këtë port
që numëron peshqit si mëkate të pashlyer.
I more letrat, shishet, fotografitë
i mbyte të gjitha varkat.
Këtej ka mbetur vetëm deti
të luajë me kujtimet
kur të vdesin pulëbardhat.
©Alfons Zeneli










