Përfundon farsa Trudeau, 2 ditë pas votimit në Parlament anulohet gjendja e jashtëzakonshme
Kthesë e papritur në teatrin politik të kryeqytetit federal, Ottawa. Qeveria sot ka revokuar masat e jashtëzakonshme bazuar në Aktin e Masave Urgjente, masa që nisën të aplikohen para 10 ditësh për t’i dhënë fund protestës së kamionistëve dhe qytetarëve kanadezë nga i gjithë vendi kundër kufizimeve shëndetësore, që bllokoi për më shumë se tri javë Parliament Hill.
Dy ditë pas votimit në Dhomën e Komunave, ku votat e Liberalëve dhe NDP lanë në fuqi masat e jashtëzakonshmë, Kryeministri Justin Trudeau, në një konferencë shtypi sot pasdite (23.02), sëbashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Financave, Chrystia Freeland, si dhe ministrat David Lametti (Drejtësia), Marco Mendicino (Rendi Publik) dhe Bill Blair (Mrojtja Civile), njoftoi vendimin për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme. Më pas në mbrëmje, ky vendim u ratifikua edhe nga Guvernatorja e Përgjithshme, Mary Simon. Në ditët në vijim do të formohet edhe një komision hetimor parlamentar.
Nisur nga zhvillimi i papritur që ndodhi sot, senatorët nuk do të votojnë ashtu siç ishte parashikuar nesër (24.02) ose të premten. Arsyeja për një ndryshim 180 gradë të qëndrimit të Justin Trudeau në hapësirën e 48 orëve, mund të jetë ndonjë sinjal paralajmërues në kulisa për refuzim nga ana e Senatit. Megjithatë, pyetja që shtrohet është: çfarë ndryshoi brenda dy ditësh kur i njejti kryeministër, me zë dhe figure, insistoi që situata diktonte mbajtjen në fuqi të masave të jashtëzakonshme? Çfarë ndodhi brenda 48 orësh, që demokracia kanadeze nuk është më në rrezik ashtu siç pretendoi ditën e votimi në Dhomën e Komunave, lideri i Neodemokratëve Jagmeet Singh?
Ndërkohë, opozita Konservatore, përmes një deklarate ka ripërsëritur vlerësimin se kryeministri gaboi duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe revokimi i sotëm është prova e pakontestueshme. Sipas Candice Bergen, drejtueses në detyrë të Partisë Konservatore Kanadeze, nga e hena në mbrëmje deri sot “asgjë nuk ka ndryshuar, përveç shqetësimit në rritje të qytetarëve kanadezë, mbulimit negativ mediatik dhe diskreditimit të Kanadasë para opinionit botëror”. Në të njejtën linjë me Konservatorët u shpreh edhe lideri i Bllokut të Québec, Yves-François Blanchet, i cili riafirmoi kërkesën për një komision hetimor, të pavarur dhe publik, mbi shkaqet që e nxitën qeverinë federale dhe kryeministrin Trudeau të aplikonte Aktin e Masave Urgjente.
©Flasshqip.ca
Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld












