Toronto-15 tetor: Shfaqet “Fluturat”, dokumentari i Bujar Alimanit mbi viktimat e komunizmit
- Published in Kanada
Të shtunën 15 tetor 2022, ora 10:00 paradite, në Cineplex Cinemas Queensway të Torontos, do të shfaqet filmi dokumentar “Fluturat”, me autor dhe realizues producentin dhe regjisorin e njohur Bujar Alimani, që prej vitesh është vendosur në SHBA. Bashkëproducent i këtij realizimi është Damian Pervizi.
Kjo është hera e dytë që krijimet kinematografike të Alimanit shfaqen në Kanada. Në fillim të qershorit të këtij viti, ai mori pjesë në Festivalin e Filmit në Blue Mountain (Ontario) me filmin “The Albanian Virgin” (filmi me shikueshmëri më të lartë në këtë aktivitet) që u prit mjaft ngohtë dhe më vlerësime të larta jo vetëm nga organizatorët dhe drejtuesit e festivalit, por edhe nga publiku që e votoi si filmin më të mirë.

Dokumentari “Fluturat”, evokon historinë e dhimbshme të viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Një apel për të mos e harruar kurrë atë të kaluar dhe për të risjellë në mendje që shoqëria shqiptare ende nuk e ka bërë siç duhet katharsisisin e nevojshëm dhe dekomunistizimin, të përmendur aq e aq shumë në letër, por shumë pak të realizuar në realitet. Një film që sidomos duhet ta shikojnë brezat që nuk e kanë njohur regjimin gjakatar të Enver Hoxhës, sepse ose ishin shumë të vegjël kur u përmbys, ose nuk kishin lindur akoma.
“Fluturat” është një film dokumentar i plotë, ku përfshihen rrëfimet rrënqethëse të 21 grave që dikur kanë lindur e janë rritur në kampet e internimeve në fshatrat e Lushnjes, në periudhen e regjimit komunist. Ideja autorit i ka ardhur rastësisht nga një informacion që ai pat marrë mbi faktin se ato mblidhen herë pas here diku në New York, e ritakohen së bashku, pasi sot janë të shpërndara në gjithë botën.

“Mund të them se më ka ardhur me kohën qasja drejt kësaj kategorie njerëzish, pasi prej disa vitesh bashkëpunoj me një prej tyre, Damian Pervizin, i cili është edhe një nga dy producentët e filmit. Në një dokumentar, xhirimet nuk kanë afat të përcaktuar, e mua personalisht, m’u deshën pothuaj 10 muaj t’i kryej ato. Kanë qenë sporadike e ka ndodhur që kisha nisur montazhin e ndërkohë më janë lipsur xhirime të tjera”, u shpreh Bujar Alimani në një komunikim me Flasshqip.
Para se të vijë në Toronto, dokumentari “Fluturat” u shfaq premierë në kinema “Millennium”, Tiranë, më 30 gusht 2022, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke bërë bashkë në sallë qindra të mbijetuar të krimeve të diktaturës e familjarë të tyre, por edhe shumë artdashës e personalitete të kulturës.
Sipas Bujar Alimanit, premiera e Tiranës, për të ishte jashtë çdo pritshmërie nga ana e tij, sepse salla ishte e tejmbushur, mbi kapacitetin e saj dhe përpos këtij interesimi, ajo çka ra në sy ishte efekti i fortë që la filmi tek publiku pjesëmarrës. “Natyrisht një premierë në vendin tënd është gjithnjë joshëse, e detyrueshme dhe kurioze, pasi dokumentari flet shqip dhe pritshmëria se si ai do arrijë të komunikojë me njerëzit e tu, është gjithnjë një ankth, por kur merr përshtypjet më pas, kënaqësia është krejt e veçantë”, shton ai.

Ai është shumë entuziast për prezantimin e filmit në Toronto duke shpresuar të përcillet e ngjallet aty e njejta atmosferë dhe të njejtat emocione si në Tiranë. “Mund të them se është interesante, që përveç shqiptarëve të Kanadasë, “Fluturat” ta shohin edhe qytetarë kanadezë. Filmi është universal, sepse ideja e qëndresës dhe mospërkulja e dinjitetit njerëzor janë mesazhe që mund t’i flasin çdo publiku, çdokujt, pavarësisht kombësisë që i përket”, ka shtuar në fund të komunikimit të sotëm me Flasshqip, regjisori dhe producenti Bujar Alimani.
Shfaqja e filmit në Toronto po bëhet e mundur falë mbështetjes së dy organizatave të komunitetit shqiptaro-kanadez, Albanian Canadian Development Alternative, themeluar nga Rudin Dakli dhe RH Scholarship themeluar nga Rej Haxhillari.
Adresa ku do shfaqet filmi: Cineplex Cinemas Queensway, 1025 The Queensway, Etobicoke, ON, M8Z 6C7 (E shtunë 15 tetor 2022, ora 10:00).
Link-u ku mund të merren biletat:
https://www.eventbrite.ca/e/butterflies-fluturat-tickets-429301230537
*Shkurtimisht krijimtaria e Bujar Alimanit
-Në 2006 realizon dy filma me metrazh të shkurtër “Gas” dhe “Busulla”.
-Në 2010 xhiron filmin e tij të pare me metrazh të gjatë, “Amnistia”, i cili është dhe filmi i parë shqiptar që hyri në Festivalin e Berlinit.
-Në 2015 merr pjesë në Festivalin e Filmit në Karlovy Vari, Çeki me filmin “Krom”.
-Në 2018 me filmin “Delegacioni” fiton “Grand Prix” në Festivalin e Filmit në Varshavë të Polonisë dhe po në këtë festival, në tetor 2021, prezantohet me filmin “Virgjëresha shqiptare”, me të cilin fiton çmimin “Ecumenical” dhe “Special Jury mention”.
-Në mars 2022 fiton Çmimin e publikut në Oostende, Belgjikë.
-Në qershor 2022 fiton Çmimin e publikut në Festivalin e Filmit në Blue Mountain, Kanada, me filmin “Virgjëresha shqiptare”.
-Në shtator 2022 fiton Çmimin “Vjosa Berisha” në edicionin e 14-të të “PriFest”, Kosovë, me filmim “Virgjëresha shqiptare”.
Ndërkohë ka realizuar dhe një film me metrazh të mesëm, “Vëthi i munguar”, si dhe dy filma dokumentarë.
*Më poshtë mesazhi i Helen du Toit, Excutive & Artistic Director, Blue Mountain Film Festival

©Flasshqip.ca












