Kanada

Qeveria kanadeze rekruton punojës të rinj për reduktimin e afateve të imigrimit

  • Published in Kanada

Përmes ministrit përgjegjës për Imigracionin Sean Fraser, qeveria federale kanadeze ka njoftuar sot (24.08) se deri në fund të vjeshtës do punësoje rreth 1250 vetë shtesë për trajtimin e dosjeve me aplikime imigracioni, që kanë kaluar kohën normale të përpunimit (54% e totalit të kërkesave të marra deri tani i kanë kaluar afatet standard të trajtimit). Prej muajsh të tërë, për shkak të situatës së pandemisë, tërheqjes së SHBA nga Afganistani, luftës në Ukrainë, por edhe për shkak të përditësimit të teknologjive të vjetëruara, kërkesat e zakonshme për imigrim po përballen me vonesa të gjata.

Aktualisht, koha e përpunimit për programin Express Entry që dikur ishte 6 muaj, tani është 26 muaj, ndërsa aplikimet e sponsorizimit për bashkëshortët që jetojnë jashtë vendit (bashkimet familjare) nga maksimumi 12 muaj që merrnin më parë për trajtimin e tyre, tani shkojnë deri në 24 muaj. Kjo situatë, që nuk eshtë e re në fakt, në fillim të këtij viti madje nxiti një grup avokatësh të imigracionit të padisnin ligjërisht Immigration Canada për vonesat e paarsyeshme në akordimin e lejeve të qëndrimit të përhershëm.

Ministri i Imigracionit Sean Fraser

Nga ana e tij, dikasteri përkatës për Imigracionin ka deklaruar se pavarësisht vonesave të gjata, viti 2021 konsiderohet si një rekord historik me pranimin e më shumë se 405,000 rezidentëve të rinj të përhershëm në Kanada. Po gjatë vitit 2021 rezulton gjithashtu që janë trajtuar afro 560,000 aplikime për leje studimi, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2019. Për vitin 2022, objektivi i ministrisë së Imigracionit është të mirëpresë 431,000 rezidentë të rinj të përhershëm.

Publikimin e lajmit për rekrutimin e 1250 punonjësve të rinj, ministri federal Sean Fraser e bëri gjatë një një konferencë shtypi në Vancouver të British Columbia, ku ndër të tjera, theksoi veçanërisht rëndësinë e imigrimit në Kanada, jo vetëm si zgjidhje ndaj problemit të mungesës së fuqisë punëtore në vend, por edhe si nxitje ndaj rritjes demografike, rritjes së numrit të popullsisë aktive dhe për rrjedhojë edhe faktor për ngadalësimit e plakjes së popullsisë kanadeze.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Facebook page Immigration Canada, The Canadian Press/Adrian Wyld