“Shqava” bre, djema… - Nga Vangjush Saro
Vangjush Saro - Vancouver
Shënim për Gjuhën dhe Sportet* (e mbase më shumë se kaq)
Në ekipin e volejbollit të Korçës, ishte edhe një djalë nga fshati, ndër të paktët aso që aktivizoheshin në ato kohë; (për arsye që dihen: largësia, paragjykimet, mundësitë reale). Ai quhej Gjergji; ishte i gjatë, i fuqishëm, një gjuajtës model dhe ndërkaq, një njeri shumë i mirë, përveçse pak naiv. Në një nga ndeshjet, ndërsa po ngrihej në rrjetë dhe matej të gjuante, ai kishte rëshkitur; dhe kështu, mbase kish humbur një pikë e sigurt.
Ndeshja mbaroi. Besoj e kishin humbur; disa ekipe ishin të “frikshëm” atëherë, sidomos Dinamo e Partizani. Mirëpo njëri nga shokët e skuadrës, ia kujtoi atë pikën e humbur Gjergjit dhe ky, me naivitetin që e karakterizonte, u shfajësua, duke folur si gjithnjë në dialekt:
-Po ce bre, desha ta humbitja unë? Unë shqava, bre…
Tani, këta “dobiçët”, ngaqë argëtoheshin njëfarësoj me atë të folur, e ngacmonin… po qysh e si, që ai të përsëriste të njëjtën fjalë, ashtu siç e thoshte, në dialekt:
-Po shqava, bre djema… Shqava.
Dhe pas pak:
-Ore, vërtet, si e humbe ti atë gjuajtje?
-Shqava, bre!
Ndonjëri i binte disi më anash:
-Mbase pasimi nuk ishte aq i mirë, hë…
-Ç’ne bre, e ngriti mirë Tika. Unë po të thom shqava …
Mbase Standardi (gjuha sot) nuk e ka fjalën “shqava”; thuhet shkas/shkava ose rëshqas. Të tilla tash përdoren kryesisht për të karakterizuar personazhe apo situata; dhe këtu diskutimi mund të shkonte gjatë. Pa le po zumë goje të folmet e dialektet, që gjithsesi, mbeten vlerë e patjetërsueshme. (Ka kolegë që tentojnë të shkruajnë në dialekt e, sigurisht, janë në të drejtën e tyre; të flasin dhe të shkruajnë si t’u vijë mbarë, sado që, mendoj, nuk është ndonjë gjë për t’u mburrur… Ne le të gjejmë gjuhën, si me thënë. E mediat, cilatdo qofshin ato, të ndjekin disa parime.)
Ishte pak e ngatërruar tema, përmbajtja e këtyre radhëve më mirë. Por… them se nuk “shqava”; anipse nuk do ish fundi i botës. Që ta përmbledh: E vjetra, e reja, të shkuarat, të tashmet, të gjitha janë pjesë e së tërës.
*Për kureshtarët, edhe në dekadat e shkuara, në qytetin e Korçës (si edhe gjetkë) kishte një gamë të gjerë sportesh, të suksesshëm në rang kombëtar dhe më gjerë: futboll, basketboll (meshkuj/ femra), volejboll (meshkuj/ femra), gjimnastikë, atletikë, mundje klasike, qitje, etj. (Madje, herët, qyteti kishte edhe një pishinë dhe ne kemi parë atje ndeshje vaterpoli - siç i thoshim - pra, Water polo, si dhe boks. Më pas, pishina u mbyll, boksi u ndalua; por sportet e tjera, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, lulëzuan.)
© Vangjush Saro










