Goool! Apo jo?…Dhe lojëra të tjera me letërsi, publicistikë e kështu më tej
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Vangjush Saro
Kur fushën e madhe (të futbollit) na e zinin të rriturit, ne mjaftoheshim me ndonjë cep rruge ose luanim diku përgjatë lumit. Sot, një loje të tillë i thonë minifutboll. Ne e quanim “me porta hungareze”; portat, nga një në secilin krah të “fushës”, ishin të ngushta dhe të sajuara me gurë. Për shkak të këtyre rrethanave, shumica e gjuajtjeve (në portë) viheshin në diskutim. Vetëm gjuajtjet që shkonin përkitazi me tokën apo ato që ceknin më parë (nga brenda) gurët, mund të brohoriteshin pa mëdyshje; në çdo rast tjetër, fillonte një tur llafesh e “investigimesh”, që shpesh shkonte deri në zënkë. Ai që kishte “dalë tepër” dhe e kishim vënë arbitër, nuk dëgjohej fare; madje, sa nuk e fluturonim tutje me gjithë lecka. Dhe veç bërtisnim: “Ishte gol.” “Jo, ishte jashtë.” “Po të them, gol…” Sidoqoftë, spektakli ishte i garantuar. Ata që ishin edhe më të vegjël se ne, na ndiqnin; shpesh edhe gocat. Madje, qëllonte që kalonin andej profesorë të fizkulturës, që rrinin një çast; pse jo, edhe ngjëronin talentet. (Gjysma e atyre mësuesve, kishin mbaruar shkollën jashtë shtetit.)
Ç’e tërkuz edhe unë! Kështu, mo, janë edhe punët e letrave ndër ne. Si ajo lojë. Herë pas here, dëgjohen britma ngazëllonjëse (nuk po them histerike) që ngjajnë me ato të dikurshmet: “Goool!” Në të gjitha gjuajtjet (me libra e shkrime këtë herë) dikush bërtet gol... Të tjerë ulërrasin jo; ose tundin kokën: Vërtet ?!... Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, këtu ka një problem. Në shumë raste, nuk dëgjohet asnjë zë nga spektatorët. Ose ndonjëherë, spektatorë të dehur apo thjesht nga ata që janë “dorë” e golshënuesit, mëhalla pra, bëjnë zhurmë të madhe e janë gati të hyjnë në zënkë... Ishte një “gol” i madh! Je gjeni! Por ka edhe zëra ndryshe: Ishte lart. Ishte jashtë… Drejt me thënë, shumë “gjuajtje” jashtë shkojnë vërtet. Edhe pse këtu s’merr vesh i pari të dytin dhe prej një kohe të gjatë mungojnë arbitrat. Kurse profesorët duken shumë rrallë. Shumicës i pëlqen anarshia. Çdokush merr përsipër të flasë, të mburret dhe të vendosë si të ishte institucion. E pse jo, kur këto të fundit flenë dhe, ndërkaq e për më tepër, ne e kemi në gjak “vetëgjyqësinë”. Oops! Si tha ai i shkreti malësor që u lejfenizua për arsye të dhimbshme: Jepuni të gjithëve nga një top (!)
Ani. Gjithnjë më ka pëlqyer futbolli...
Lexohemi.



