Stil & Jetë

Aforizma për jetën: pas vetëdijes drejt lirisë dhe origjinalitetit - Nga Lis Bukuroca

-Kush bëhet qeni i dikujt, duhet të lehë sipas dëshirës së dikujt.

***

-Lagjja përbëhej nga një grumbull i njerëzve të padijshëm, ku edhe i arsimuari kishte frikë të jetojë sipas ideve të veta sepse nga tufa e padijshme konsiderohej i prishur, prandaj ai vazhdonte të mbetej i paprishur për turmën, por i prishur për vetveten. Dhe, me jetën e humbur…

***

Kur njeriu bëhet gomar, njerëzit e ngarkojnë pa e pyetur.

***

Liria e të menduarit dhe të vepruarit, nuk duhet dorëzuar askujt: as njeriut, as Zotit! Ti je origjinali i vetëm i vetvetes në këtë botë dhe ky origjinalitet zhduket ose ekzekutohet, nëse ti jeton, mendon e beson siç dëshiron dikush prej teje.

***

Kush bëhet lopë, parapëlqen të milet nga bariu.

***

Njeriu i mençur mëson nga gabimet e veta dhe të të tjerëve, duduku i fsheh gabimet e veta nga njerëzit, por edhe nga vetvetja, prandaj gabon vazhdimisht.

***

Ai bërtet sepse ka frikë. Ti nuk ulurin sepse ke guxim.

***

Ai shan sepse është i dobët. Ti nuk i përgjigjesh në të njëjtën mënyrë sepse je i guximshëm.

***

Jashtë mund të të admirojnë për suksesin, por shumë të afërm do të smirojnë ty.

***

Nuk ka njerëz me trup të përsosur dhe as nuk ka njeri me mendje të përsosur. Prandaj mos e masko veten, ji ajo/ai që je dhe duaje veten ashtu siç je. Mos u bëj pjesë e atyre që të urrejnë ty.

***

Shiko veten me sytë e tu, jo me sytë e botës.

***

Të varfërit vjedhin më rrallë se të pasurit, por ndëshkohen më shpesh se ata. Vjedhësi i varfër dënohet sepse futet në fushën e të pasurve dhe nuk vepron mjaftueshëm profesionalisht: ai shpesh lë gjurmë pas vetes, sepse është hajn nga nevoja, jo nga profesioni.

***

Prostitucionin nuk e mundësojnë gratë, por burrat që e financojnë.

 

© Lis Bukuroca