Emfaza dhe e vërteta janë krejt të ndryshme - Nga Vangjush Saro
“Jam gati kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë…” (S. Esenin)
Ndonjëherë e ndjen me tepri lodhjen nga kjo situatë absurde, por jo më pak nga tollovia e mediave, rrjeteve, nga gjithfarë episodesh bezdisëse plot emfazë… Nëse vihen në plan të parë emocionet dhe jo argumentet, nëse biem përmbys për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve me dhe pa motiv, nëse ndjeshmëria e sforcuar apo animi ekstremisht në njërin krah shmangin ekuilibrin, atëherë e ‘merr fjalën’ emfaza. E vërteta shtyhet tutje me përdhunë. Llafet zënë vendin e fjalëve. Çoroditja bëhet skorje. Tejet i vështirë komunikimi.
Emfaza shfaqet kur duam t’u imponohemi të tjerëve ose kur këmbëngulim t’iu ngarkojmë atyre pengjet tona, fiksimet ndonjëherë. Kur shajmë (në mos mallkojmë) të shkuarën, përfshi kontributin e vendit në Luftën e Dytë Botërore. Kur hamë inat me Gjuhën Kombëtare dhe shkrehim “pushkët” e të folmeve si të na vijë për mbarë. Kur rendim për “etimologjinë” e fjalëve shqip (çka, çuditërisht, nuk e bënë dot (Sa të pafat!) as S. Frashëri, as K. Kristoforidhi, as F. Noli, edhe pse këta ishin gjenij e atdhetarë të pashoq dhe njihnin me themel një sërë gjuhë të huaja). Kur përfshihemi pa sens në episodet politike të ndonjë vendi tjetër; (hera e fundit ishte SHBA). Kur për të gjitha prapësitë, konfliktet dhe mosarritjet tona, përpiqemi t’ua hedhim fajin fqinjëve. Kur rendim pas njëshave symbyllur. Kur duam të bëhemi me zor shkrimtarë e gazetarë, edhe pse kjo është një çështje talenti. Kur bëjmë si të marrë për krijimtarinë tonë, edhe pse ajo është ende në lexim e në shqyrtim. Kur nuk na zgjedhin (apo rizgjedhin) në aksh forum dhe sakaq fillojmë “luftën”. Kur na mbetet hatri diku a me dikë dhe pastaj sillemi si snobë apo si halabakë (s’ka fort ndryshim). Kur përfshihemi në polemika pa le kush është më i (e) mirë...
Lexuesi i nderuar mund të vazhdojë me “Kur”. Natyrisht, emfaza nuk mund të imponohet kudo dhe është përkohësi. Gëzon njerëzit e vegjël. Për një vizion më jetëgjatë, mirë do ishte t’u besojmë ditëve tona më të qeta, por sidomos ekspertëve (sipas fushave) dhe Akademisë së Shkencave. Dhe për episode që mbeten gjithnjë “mollë sherri”, mund të kërkojmë referendum. Se… nuk shtyhet tërë jeta me vetëgjyqësi: Ca nga ne e duan të pjekur, ca të djegur. Çdo komb e shtet ndjek një filozofi, miraton disa parime e rregulla krijon një imazh; nuk mund të ushqehesh vend e pa vend me emfazë. Emfaza dhe E vërteta janë krejt të ndryshme apo jo?
Vankuver - Fillimdhjetori 2020
©Vangjush Saro








