Kolumnist

Duartrokitjet për ngjitjet dhe rëniet si karrierë në tranzicionin e Tiranës - Nga Faruk Myrtaj

Nuk se (Erion Veliaj) është thjesht një “I Korruptuar”. Ai është edhe më i Pa-tjetër si "korruptues". Nëse bosët e tij, kudo ku janë, thjesht kështu sundojnë, përmes Erionëve, Veliaj vetë e ka ushtruar vet-përdorjen e tij si dhunim e përdorim fyes ndaj mijëra të tjerëve.

Mjaft te kundrojmë me trishtim njerëzor ata që ishin thirrur për të duartrokitur edhe në Rënie si në Ngjitje, duke protestuar “pro-korrupsionit” përpara SPAK-ut të “kolegëve të tij”, si vazhdim i peticioneve intelektuale si ai pro-prishjes se Teatrit Kombëtar, mjaft të vësh re se si e shpërdorojnë fjalën gazetarët në mediat kombëtare pro-qeveritare për ta lehtësuar sadopak akuzën ende te pa-shfaqur plotësisht ndaj tij në emër të “të drejtave të njeriut dhe prezumimit të pafajësisë”!?, mjaft të shikosh lodhjen psikike e publike të kryeministrit të vendit që hajde merre vesh kur pyet: “Ku Jetojmë, kështu? Ku jemi, vallë?”

Kjo është Shqipëria reale e juaj, zotërinj të Djathtë të së Majtës Klasike të Tiranës. Pse ju duhej edhe kjo shfaqje që ta pranonit si zhgënjim (kryeministror) ndaj asaj që proklamoni në sallonet e zvetënuara të Evropës dhe në lobimet alternative në Shtëpinë në të Bardhë?

Një kryeministër që identifikon prokuroret e SPAK-ut me prokurorët e Enver Hoxhës, thjesht e thjesht se siç Dje edhe Sot nuk paskemi Ministri Drejtësie por vetëm Sekretar të Parë, se dardhat e mollët pas shpine nuk justifikojnë dot as edhe si propagandë, mjaft të shikosh lebetinë dhe frikën e asaj kaste të ngushtë rilindiote- të trembur nga ende-shtirja e kryeministrit, që ende u bënë thirrje “të shtrëngojnë dhëmbët” për-para, përpara për 4 vjet more, d.m.th. të vazhdojmë edhe vet-burgosjen tonë deri te më i fundit koleg?!

Megjithatë, mjerimi Veliaj bëhet edhe elitar kur në dyert e SPAKUT vet-shfaqet Ajo- Helena Kadare, sikur kush e di kush e ka mashtruar - si s’mbaron vet-mashtrimi i tyre i konvertuar në privilegje - nën të gjithë kabinetet e Tiranës si shtyrje e pafund tranzicioni, xhanëm - dhe i kanë thënë që kishte rast të ndiqte seancën e Birit të Saj të Zgjedhur për Lamtumirën e Fundit.

P.S. S’dihet në ka ndonjë ide për transferim të ambasadave nga Tirana, për diku tjetër, si arsye për heshtjen.

© Faruk Myrtaj