Këshilla për mediat “më të ndjekura” - Nga Vangjush Saro
Ato thonë jemi “më të lexuarat” a “më të ndjekurat” (disa gazeta, portale e TV, mbase edhe ente botuese). Dhe mirë bëjnë që e lartojnë veten në këto kohë kur s’gjendet kund një apo disa institucione të besueshme; jo thjesht për të vënë pikën mbi I, por për t’i detyruar të hapin sytë… Në fakt, duke imponuar mediokritet, klithje, kurm, por edhe duke shkruar një shqipe që lë aq shumë për të dëshiruar, ato e poshtërojnë publikun. Pamja është me të vërtetë e shëmtuar. S’kam shumë besim se e ndreqim dot atë për pa u shtruar shteti në këtë rafsh, por prapë qasem ndonjëherë të redaktoj e të korrektoj diçka në paçavuret më të “ndjekura”:
■ Është vënë në dukje disa herë përdorimi i gabuar i përemrit pyetës “Kush”, por vazhdon traga, aq sa edhe i shumëdëgjuari S. Guri i vë librit të tij titullin “Kush jemi ne shqiptarët?” duke na kujtuar (krahas shumë proçkave të tjera) se cilët jemi ne në të vërtetë: ata që nuk respektojnë gjuhën e tyre, ata që i botojnë librat pa redaktor e pa korrektor letrar, etj. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet pa rregulla, nuk ka sesi ndryshe.
■ “Bashkë me turkun e shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim Özer, në prangat e policisë ka rënë dhe nipi i X-it.” (Özer është emri i qytetarit turk. Fjalia duhej ndërtuar kështu: “Bashkë me Özer, turkun e shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, në prangat e policisë ka rënë dhe nipi i X-it.” Ose: “Bashkë me turkun Özer, shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, në prangat e policisë ka rënë dhe nipi i X-it.” U kuptuam, o media “më e ndjekur”?)
■ Fjali e kopjuar keq nga shtypi i huaj: “Vitin e kaluar gjithsej 757 shqiptarë kaluan “Kanalin” vitin e kaluar, sipas shifrave të qeverisë, shkruan Daily Mail.” (Çfarë kakofonije! Nuk di nga ta zësh…)
■ “Ndonëse fjalimet vjetore të presidentëve në Kuvend janë ngjarje ceremoniale, Osmani nuk ka hezituar të kritikon opozitën dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.” (O media më e ndjekur, duhej shkruar: “të kritikojë”.)
■ “Lista me emrat që duhet të s’pastroja…” (Ç’gazetari! Një gjysmë fjalie dhe dy gabime: duhet/ duhej dhe s’pastroja / spastroja. Ja ku jemi katandisur; se edhe unë s’jam i sigurt nëse është krejt mirë e shqip kjo fjala e fundit).
■ “Raportohet se Gashi ka qëlluar ndaj vëllait 65-vjeçar në ambientet e oborrit të shtëpisë, ku pas një sherri për bagëtitë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar nga pas.” (Dy herë “paskan qëlluar” në këtë raportim të paqëlluar?!)
■ Ja një fragment nga një analizë “pretencioze”: “Akuza, që për shumë kohë u bë kauz e opozitës, por u ndërpre pasi doli çështja McGonigal, ishte shpopullimi i vendit dhe për këtë maxhoranca duket sikur ngec, ndërsa për të bërë një analizë të plotë gjërat duhen marë prej fillimit, pavarësisht se janë thënë në të shkuarën, (madje unë vet i kam thënë përpara dhjetë vjetësh), sepse ata shqiptarë që në ato vite ishin dhjetë vjeç, sot janë bërë njëzet dhe demagogjia bën punën e vet.” (Krahas megallomanisë - na e paska thënë para dhjetë vjetësh - krahas edhe kakofonisë në ndërtimin e fjalisë, ja disa lapsuse e gabime gjuhësore: kauz/ kauzë, marë/ marrë, unë vet/unë vetë, vjetësh/ vitesh.)
E lashë me kaq, se nuk dua t’i lodh më lexuesit dhe veten.
© Vangjush Saro
















