Blog

Urat tona këmbëthyera… - Nga Ndue Dedaj

Fejton

Ura e parë që iu thye njëra nga këmbët, para 35 vjetësh, kur sapo ishte përuruar, është njëra nga urat hekurudhore mbi lumin Fan, në afërsi të Rrëshenit, që më pas u përforcua me një konstruksion metalik, por që nuk u bë problem pasi mbi të nuk do ta kalonte më treni. Aq më keq, vetëm pesë kilometra më tej, mbi Urën e Tarazhit, nuk do të hipte treni kurrë, edhe pse këmbët i kishte shëndosh e mirë.

Apo nuk kishim shkruar dhe ne plot reportazhe frymëzuese në kohën kur u ndërtua?...

Për të mos i hyrë historisë, se ku tjetër në Shqipëri mund të ketë pasur ura këmbëthyera, po ndalojmë te ura e urave, krye-ura shqiptare, mbi Mat, me pesë harqe (i gjashti qe bombarduar gjatë Luftës Dytë Botërore), që mban emrin e Mbretit Zog. Edhe këmbës së saj i kanë vënë një mbajtëse metalike, që të mos fundoset më shumë, çka do të merrte me vete krejt urën. Na mbetën sytë si mbi një plagë, sa herë kalojmë aty dy a tri herë në javë.

Nuk di pse, por na krijon një ndjesi të çuditshme, kur e shohim ashtu, atë të këmbës së thyer të dhisë, kur rrëzohej karmave, apo e kafshonte ujku - atëbotë gjyshja, për t’ia shpëtuar këmbën, pasi ia lyente me lesh të përzier me voe, ia mbështillte me pece dhe vendin ku ishte thyer ia përforconte me dy copa të holla dërrase si pafta, deri sa këmba të shërohej e dhia kacelle brirë-krenare të ecte si më parë. Ajo mënyrë lidhje, ishte njëlloj futje në “allçi”…

Urat s’janë si dhitë, kuptohet, por fatin si të tyre e kanë shpesh. Se na la dhe një tjetër urë mbi Mat këtë korrik (krejt afër me urën mbretërore), që u ndërtua në vitet ’80-të kishte funksion të dyfishtë, të ishte dhe udhë hekurudhore. Kësaj të fundit ende qeveria nuk i ka vënë ndonjë nga ato mbasat si të tjerave, dhe për faktin se ajo nuk ka vetëm një këmbë të thyer, por të gjitha këmbët…

Nuk i ka gjetur asgjë këmbët e urave të pashallarëve, Urës së Mesit në Shkodër, Urës së Vashës në Klos, apo dhe Urës së Gomsiqes, dhe vete “ujku” i tranzicionit e na ha urat bashkëkohore, që u kemi kënduar aq shumë nëpër rapsodi, njëherë si arritje të socializmit e më vonë si “heroina” të kapitalizmit, që nuk ua dolën përgjithmonë gërryerjeve fitimprurëse të fadromave...

Ti beson se qeveria i ka “barinjtë” e fortë, se i ruajnë urat, por ja që nuk qenkësh e vërtetë, ndaj shtohen dita-ditës urat tona këmbëthyera...

© Ndue Dedaj

Tagged under Flasshqip.ca Ndue Dedaj