Kanadaja riatdheson familjarët e diplomatëve të atashuar në Ukrainë
Nisur nga fakti që pushtimi rus i Ukrainës mund të bëhet realitet në ditët në vazhdim, qeveria kanadeze ka marrë vendimin të riatdhesojë përkohësisht anëtarët e familjeve të personelit diplomatik të atashuar atje. Në një deklaratë të shkurtër të publikuar sot (25.02.2022), Ministria e Jashtme e Kanadasë theksoi se e mori vendimin për shkak të vendosjes aktuale të forcave ushtarake ruse dhe aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në dhe përreth Ukrainës. Më konkretisht, vendimi i Global Affairs Canada përfshin në mënyrë specifike fëmijët nën 18 vjeç dhe prindin e tyre që nuk punon në ambasadë. Diplomatët e vendosur në Ambasadën Kanadeze në Kiev dhe në Konsullatën në Lviv, mbeten në Ukrainë deri në një vendim të dytë.

Kiev 25 Janar 2022 (Getty Images/Sean Gallup)
Me këtë lëvizje, Ottawa zyrtare ndoqi shembullin e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë, të cilat morën të njëjtin vendim ditët e fundit. Ndërkohë, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk u prit mirë nga Ministria e Jashtme e Ukrainës, e cila shprehu keqardhjen e saj përmes zëdhënësit Oleg Nikolenko. “Ndërsa respektojmë të drejtën e vendeve partnere për të garantuar sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, ne besojmë se një veprim i tillë është i parakohshëm dhe shembull kujdesi të tepruar. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shmangen gjestet që mund të përdoren në hapësirën publike për të rritur tensionin social dhe për të destabilizuar sigurinë ekonomike dhe financiare të Ukrainës”, thuhej në deklaratën e zëdhënësit të diplomacisë ukrainase. Vendimi i sipërpërmendur madje u kritikua edhe nga kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ftoi aleatët perëndimorë të shmangin reagimet alarmante.

Ministrja e Jashtme Mélanie Joly në Kiev
Pas vizitës së Ministres së Jashtme Mélanie Joly në Kiev (17.01.2022), të premten e kaluar, 21 Janar, qeveria kanadeze pat njoftuar akordimin e një huaje prej 120 milionë dollarësh për qeverinë ukrainase, gjest ky që sipas saj, kishte si synim ndihmën për forcimin e ekonominë së Ukrainës, në kushtet kur rreth 100,000 ushtarë rusë si dhe tanke e artileri të tjera të rënda janë dislokuar pranë kufirit të saj e janë duke kryer manovra ushtarake. Megjithatë, qeveria e Justin Trudeau ende nuk ka deklaruar nëse do ta furnizojë apo jo me pajisje ushtarake Ukrainën, ashtu siç ka kërkuar zyrtarisht Kievi, apo nëse synon të zgjasë misionin e trajnimit që kryejnë Forcat e Armatosura Kanadeze atje. Ky mision normalisht parashikohet të përfundojë në fund të Marsit.
Komuniteti ukraino-kanadez
Kujtojmë që në Kanada jeton një komunitet i konsiderueshëm më origjinë ukrainase, rreth 1,4 milionë vetë, çka e rendit atë në vendin e 11-të mes komuniteteve më të mëdha etnike në vend dhe të tretin në botë për nga numri, pas ukrainasve që jetojnë aktualisht në Ukrainë dhe Rusi. Kanadezët me origjinë nga Ukraina janë të organizuar dhe përfaqësohen nga Kongresi Ukraino-Kanadez.

Wayne Gretzky
Mund të thuhet par rezerva se kanadezët me origjinë ukrainase kanë ndikim të konsiderueshëm në shoqërinë dhe politikën kanadeze, më shumë se çdo grup tjetër etnik me origjinë nga Evropa Lindore, Nga radhët e këtij komuniteti kanë dalë mjaft figura të shquara si Ray Hnatyshyn, Guvernatori i Përgjithshëm i 24-të i Kanadasë (1990-1995) dhe Guvernatori i parë i Përgjithshëm me origjinë ukrainase, Gary Filmon, Kryeministër i Manitoba (1988-1999), Roy Romanow, Kryeministër i Saskatchewan (199-2001), Kryeministrat e Alberta-s Ralph Klein (1992-2006) dhe Ed Stelmach (2006-2011), senatorë, deputetë e ministra provincialë, disa deputetë federalë, ndër ta edhe miq të komunitetit shqiptaro-kanadez si Borys Wrzesnewskyj e Yvan Baker apo edhe Chrystia Freeland, zëvendëskryeministrja aktuale dhe ministrja e Financave të Kanadasë. Me origjinë ukrainase janë gjithashtu Paul Wynnyk Gjeneral-Lejtënant dhe Komandant i Forcave të Armatosura Kanadeze më 2016-2018, astronautja Roberta Bondar, lojtari i famshëm i hokeit Wayne Gretzky si dhe lojtari i tenisit Denis Shapovalov.
©Flasshqip.ca
∗Në foton nga Kievi, një qytetare duke kaluar sot para një tanku sovjetik të Luftës së Dytë Botërore tip T-34).












