Kanada

Ottawa - Tamara Lich lirohet kundrejt një garancie financiare 25 mijë dollarë

  • Published in Kanada

Organizatorja dhe zëdhënësja e “Freedom Convoy” Tamara Lich, e arrestuar qysh më 17 shkurt në Ottawa, u lirua sot (07.03) nga paraburgimi kundrejt një garacie financiare. Vendimin e mori gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Ontarios, John Johnston, i cili gjatë prononcimit të vendimit pohoi se ajo do ketë nevojë për mbikëqyrje. Kësisoj, Tamara Lich do t’i duhet të plotësojë disa kushte, duke përfshirë largimin nga Ottawa brenda 24 orëve dhe nga Ontario brenda 72 orëve. Asaj do t’i duhet gjithashtu të kontaktojë policinë e Ottawa në fund të çdo dite, gjatë udhëtimin të saj të kthimit në Alberta, provinca ku ajo banon dhe punon.

Ndërkohë, asaj i ndalohet të përdorë mediat sociale ose të kontaktojë me figura të tjera drejtuese të lëvizjes, përfshi Chris Barber dhe Pat King, të cilët, njëlloj si ajo u arrestuan. Asaj gjithashtu i ndalohet të organizojë protesta kundër kufizimeve shëndetësore apo aktivitete të tjera të ngjashme. Ajo do të jetë nën mbikëqyrjen e një garanti, një familjari që nuk është bashkëshorti i saj, emri i të cilit nuk lejohet të publikohet, bazuar në vendimin e sotëm. Personi në fjalë, i cili ka përgjegjësinë e mbikqyrjes së respektimit të detyrimeve të vëna nga gjykata, depozitoi një garanci prej 20,000 dollarësh, ndërsa vetë Tamara Lich pagoi një garanci shtesë prej 5,000 dollarësh.

Në vendimin e shpallur sot pasdite, gjykatësi Johnston ka argumentuar që e pandehura ka një vend pune dhe konsiderohet një punonjëse e vlefshme nga punëdhënësi i saj, se ajo nuk ka kryer më parë asnjë krim, ndërsa rreziku në Ottawa, ku rrugët janë kthyer në normalitet, tani është reduktuar në minimum. Vendimi gjithashtu theksonte se gjyqi i Tamara Lich nuk parashikohet të mbahet pa kaluar disa muaj dhe koha që ajo ka kaluar në paraburgim nuk do ta tejkalojë dënimin. “Zonja Lich nuk ka gjasa të përballet me një dënim të gjatë me burg” kanë qenë fjalët e gjyqtarit Johnston në fund.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada