Zhvlerësimi i monedhës evropiane dhe informaliteti
- Published in Ekonomi
- Nga: Zef Preçi
Shkaqet e zhvlerësimit së fundmi të Euros në ekonominë tonë kombëtare duhen pare të lidhura shumë më tepër me zhvillimet e brendshme dhe më pak me ato të jashtme. Kështu, zhvlërësimi i Euros, lidhet ngushtësisht me ofertën monetare të madhe në treg, me konsumin e dobët të brendshëm, me perpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të rivendosur kontrollin e vet mbi qarkullimin monetar, me levizjet në tregun paralel të huasë, me nivelin miminal të thithjes së parasë nga ekonomia reale, etj. Dmth kryesisht me zhvillimet në anën e ofertës së parasë.
Siç dihet, të hyrat monetare nga emigracioni (remitancat) janë kryesisht me monedhën Euro dhe megjithë rritjen modeste, mbeten në nivele të krahasueshme me vitet paraardhëse. Në vend është gjallëruar dukshëm tregu paralel i kredisë nëpërmjet zyrave noteriale, i cili gjithashtu bëhet në monedhën e Euros. Edhe shiblerjet e pasurive të patundshme, në shumicën dërrmuese tyre, në mos 100%, bëhen në monedhën e Euros dhe agjencitë imobiliare raportojnë per rritje deri në 20% të çmimeve për njësi siperfaqeje gjatë dy viteve të fundit.
Por pavarësisht se vetëm në kanale formale hyjnë në vend më shumë se 900 milione Euro në formen e remitancave dhe destinohen në më shumë se 1/3 e tyre për të blerë mallra konsumi në tregun e brendshëm, pavarësisht faktit se huatë (borxhet) në tregun paralel të kredisë jepen në monedhën Euro dhe llogariten në disa dhjetëra milionë Euro të tjera, pavarësisht se shitblerjet e pasurive të patundshme (të rritura dukshëm sipas Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë) bëhen në monedhën Euro, përsëri këto zhvillime nuk arrijnë të absorbojnë sasinë e madhe të Eurove në tregun vendas.
Ndërkaq, dhenia e lejeve të ndertimit për 10 apo 11 kulla në Tiranë, në të cilat pritet të investohen rreth 300 milionë Euro si dhe listimi i një numri veprash publike në kuadrin e programit të ashtuqujtur “Programi 1 miliardë ”, tregojnë se presionet për të zgjeruar tregun në favor të kësaj oferte monetare të brendshme tashmë jane reale dhe shumë të mëdha.
Në vlerësimin tim, problemi më serioz mbetet origjina nga veprimtaritë e paligjshme e një pjese të konsiderueshme të ketyre parave dhe mungesa e mbështetjes së bankave të “Programit 1 miliardë ” apo investimeve në ndertimet e biznesit për të cilat janë dhënë lejet e ndërtimit. Ndërkaq, gjendja e shëndetshme e bankave tregtare dhe rritja e qëndrueshme e fitimeve të tyre, në kushtet kur zgjerimi i kreditimit të ekonomise reale është tejet miminal, tregon se edhe keto të fundit ndodhen nën presionin e kesaj oferte monetare të brendshme.
Mendoj se është koha që të gjitha palët e në radhë të parë Qeveria, të kuptojnë se paratë me origjine kriminale nuk mundet kurrsesi të sherbejnë si burim zhvillimi i ekonomisë sonë kombëtare dhe se çrregullimet që kanë filluar të shfaqen duke filluar me rrënimin e konkurrencës në tregje (psh në tregun e pasurive të patundshme ku çmimet rriten ndërsa kërkesa është minimale) do të thellohen më tej në ditët që vijnë.
Ndërkaq, mundësitë e kanalizimit të këtyre parave në investime publike (përndryshe në “zbardhjen” e tyre) dhe më keq akoma, në shndërrimin e tyre të menjehershëm në borxh publik (pra në shtimin e këtyre parave) përbëjnë një rrezik real dhe me ndikime afatgjate në ekonominë tonë kombëtare. Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse FMN këshilloi së fundi qeverinë edhe publikisht për të hequr dorë nga politika ekonomike që “de facto” dhe "de jure" legjitimojnë këto burime. Kësisoj, vazhdimi i zhvlerësimit të monedhës Evropiane tregon se sa të mëdha janë sasitë e parave informale dhe kriminale që qarkullojnë vitet e fundit në ekonominë shqiptare dhe se ende mungojnë politikat ekonomike, fiskale, financiare dhe bankare që mund ta futin këtë ekonomi në binarët e formalizimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.











