Një gjirafë për europianët kureshtarë - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej

Enver Robelli - Zvicër
Në tetor të vitit 1826 një gjirafë braktisi një anije në qytetin e Marsejës (Marseille) të Francës. Kafsha qafëgjatë ishte ngarkuar në atë anije në Aleksandri me urdhër të Mehmet Ali Pashës, sundimtarit të Egjiptit, i cili supozohet se ka qenë shqiptar. Mehmet Ali Pasha, dikur tregtar duhani nga Kavalla e Greqisë së sotme, vendosi t’u dhuronte francezëve një gjirafë duke e ditur se ata nuk kishin parë kurrë një kafshë të tillë (ashtu si shumica e europianëve të tjerë).
Në vitin 1827 ecja e gjirafës nga Marseja deri në Paris zgjati 41 ditë. Kudo në rrugë dilnin mijëra njerëz për ta parë kafshën ekzotike. Që në Mesjetë europianët e kishin marrë emrin e gjirafës nga arabishtja: “zarafa”. Kjo fjalë domethënë: “e ëmbla” ose “dashamirja”.
Me diplomacinë e gjirafës Mehmet Ali Pasha synonte të përmirësonte marrëdhëniet me Francën, pasi kishte luftuar për dëbimin e francezëve nga Egjipti. Mehmet Ali Pasha po ashtu dëshironte që me ndihmën e francezëve të përmirësonte infrastrukturën e Egjiptit, burokracinë, ushtrinë dhe ekonominë.

Charles X (Mbreti i Francës) dhe Mehmet Ali Pasha
Dy gjirafa u sollën nga Sudani në portin e Aleksandrisë. Aty u krijua një tollovi për shkak se tani edhe anglezët xhelozë dëshironin një gjirafë. Njëra lëngonte nga një sëmundje, tjetra ishte e shëndoshë. E shëndosha iu dhurua francezëve, e sëmura anglezëve. Në Londër gjirafa e sëmurë jetoi vetëm dy vjet.
Meqë gjirafa që iu dhurua francezëve pinte shumë qumësht, në anijen nga Aleksandria në Marsejë u ngarkuan edhe tri lopë qumështore. Njerëzit në Francë shikonin me kureshtje dhe mahniteshin jo vetëm me gjirafën, por edhe me dy grahës zezakë nga Sudani të veshur me kostume shumëngjyrëshe.
Më 5 qershor 1827 mbi 30 mijë njerëz u mblodhën në sheshin më të madh të Lionit (Lyon) për të parë gjirafën. Në muajt korrik dhe gusht 100 mijë banorë të Parisit vizituan kafshën e ardhur mysafire nga Afrika.
© Enver Robelli
Foto lart: Gjirafa në Francë, ilustrim i vitit 1827


