Andej-Këtej

Kafja - Nga Sami Milloshi

- Mos shko tek ajo kafeneja atje në skaj të rrugës, - më tha Zemria.

- Po pse? - e pyeta.

- Se kush e di se çfarë mund të të hedhin në kafe...

O Zot i madh, thashë me vete. Kam ardhur nga Amerika të vë dy tufa me lule te varret e prindërve, por as për këtë nuk jam i sigurt.

Si u bë ky vend kështu?! Atdhe i frikës, Mëmëdhe i helmit...

Por nuk e dëgjova Zemrien. Vajta pikërisht te ajo kafeneja në skaj të rrugës, te ajo me dy palma në oborr.

Erdhi Dani, kamarieri me kafen që porosita dhe me një shishe ujë Qafështame. I dukeshin varrat e pikëllimit në fytyrë.

Zemria më pati thënë se dikush ia kishte vrarë nusen e djalit me gjithë foshnjen në bark. Dhe nuk ishte marrë vesh se kush dhe nuk ishte marrë vesh edhe pse...

Po gjerbja kafen që nuk m’u duk e keqe. As shumë e mirë. E zakonshme.

Nxorra paketën dhe bëra të ndez nje cigare, por e kisha harruar çakmakun në shtëpi. Dani duket më shqoi se kisha nevojë për çakmak dhe vrikthi brofi tek unë. Ma ndezi me çakmakun e tij cigaren dhe bëri të ikte.

- Dan, ndal pak, - i thashë.

U bë kurioz. Mrroli pak vetullat e trasha dhe tha:

- Çfarë kishe?

- Pse thonë që te kafeneja jote mund te pish edhe helm? - e pyeta, sikur t’i pëshpërisja në vesh.

- O vlla, unë vërtet jam i pikëlluar, se kështu më qëlloi fati, po helmin e jetës sime nuk ta shtie ty në filxhan... Këtë hiqe mendsh, si një e një bëjnë dy! Ty po të pëlqeu kafja ime, hajde prap nesër. Po nuk të pëlqeu, shko diku tjetër. Kafenetë i ke varg gjithandej...

- Po pse më tmerroi Zemria për kafen tënde?

- Nuk e di çfarë të them, zotni. Këtë vend e ka pushtuar frika. Këtu padishahu do që unë dhe sihallsit e mij të rrojmë me frikë. Hall të rrosh, e hall të vdesësh. Por unë kafen e bëj pa hile. Ndoshta jo dhe aq të mirë. Ty, po të pëlqeu, bereqavers. Por, po erdhe me frikë, më mirë mos hajde fare. Dhe, ta dish, se edhe unë e dua jetën po aq sa ti....

- Do vij prap nesër, Dan, - i thashë.

- Mirëse të pruftë i madhi Zot! - tha Dani.

© Sami Milloshi