Andej-Këtej

Njeriu i famshëm - Nga Sami Milloshi

Ai asht i pakënaqun me njerëzit që i sillen rrotull. Po nuk ka fuqi me i hedhë. Asht i lodhun. Ka fillue me u përhumbë njeriu i famshëm.

Dje, nji kokëkaçurrel, tue dashtë me fitue pak lavdi prej lavdisë së njeriut të famshëm, tha se tridhjetë vjet ma parë e paskesh parashikue se njeriu i famshëm kishte me u kthye prej ekzilit veç nëse kthehej si Konstandini i legjendës...

Njeriu i famshëm vuni buzën në gaz. Ndoshta nuk e ndigjoi mirë.

- ÇfarË thotë ky, mo? - pyeti me za të ultë.

- Nuk e marr vesh çka thotë, - thashë unë.

- Je kthyer ti prej ekzili, apo jo? - e pyeta unë njeriun e famshëm.

Njeriu i famshëm nuk u përgjigj. Nuk e ndigjoi apo nuk deshi të përgjigjej, unë nuk e mora vesh. Por, fytyra e kokëkaçurrelit që kishte pas ba parashikimin, u murrëtye si gropë pusi.

- Nuk bën sens kjo pyetje, - tha kokëkaçurreli. - Nuk e sheh ti që ky është këtu, në mëmëdheun e tij të dashur?

U duk sikur njeriu i famshëm u ndërmend.

- Këtu jam, - tha njeriu i famshëm - por nuk ia vlen që ju të grindeni se ku gjendem unë. Nuk keni kurrfarë përfitimi. Lavdi jo e jo, sepse unë ende nuk e di nëse edhe vetë fitova ndonjë copëz lavdie apo jo nga ekzili. Kështu që, më mirë heshtni, se heshtja është flori...

Ra nje heshtje, si heshtja në varrezat e qytetit. Dhe filloi nji shi i imtë që i shplau udhët e pista prej pluhuni. Por, unë ende nuk e di, a asht kthye prej ekzili njeriu i famshëm. Megjithëse e kam përballë si një Konstandin në ekzil në shtëpinë e tij...

© Sami Milloshi