Andej-Këtej

Demagogu apo audienca? - Nga Ernest Nasto

Ernest Nasto - SHBA

Një vendim i para disa ditëve nga një gjykatë amerikane solli edhe një herë në qendër të vëmendjes rolin e madh të teorive konspirative në disa shoqëri të zhvilluara perëndimore, e mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara.

Me pak fjalë çështja ishte kjo: në dhjetor të vitit 2012, një i ri i armatosur hyri në shkollën fillore Sandy Hook në shtetin Connecticut dhe vrau 26 persona, nga të cilët 20 fëmijë, nxënës të klasës së parë, dhe 6 mësues e personel shkollor. Disa kohë pas masakrës, konspiracionisti Alex Jones filloi të përhapte në mediat sociale e në emisionet e tij televizive idenë se kjo ngjarje ishte tërësisht e sajuar dhe s'kish ndodhur kurrë. Sipas tij ajo ishte një inskenim nga ana e qeverisë, asokohe administrata demokrate Obama, me qëllim që njerëzit të revoltoheshin, e ashtu ta mbështesnin në synimin për të sekuestruar armët e zjarrit në të gjithë vendin. Ai arriti madje sa të akuzonte prindët që humbën fëmijët sikur ata ishin aktorë të paguar nga qeveria, që vajtonin kot për fëmijët e masakruar, pasi ata s’kishin fare fëmijë. E gjitha kjo, pretendonte Jones, ishte pjesë e një komploti të madh kundër Amerikës të organizuar nga "elita globale" në bashkëpunim me agjenturën e saj brenda vendit, alias Partinë Demokrate. 

Disa nga prindët e viktimave ngritën padi kundër Jones, sepse dhimbja që u kish shkaktuar ai me shpifje të tilla në emisionet e kanalit të tij mediatik Infowars ishte po aq e madhe sa ajo e shkaktuar nga humbja e vogëlushëve të tyre. Përpara gjyqit Jones u detyrua të kërkonte falje dhe pranoi se deklaratat e tij ishin gënjeshtra, por përsëri u përpoq të mbrohej duke u justifikuar me të drejtën e fjalës apo lirinë e mendimit. Megjithatë, në përfundim të gjyqit, juria e shpalli fajtor për shpifje, duke e dënuar t'u paguajë prindërve gati 50 milionë dollarë. 

Kjo është një shumë e konsiderueshme megjithëse perandoria mediatike e Jones, e mbështetur tërësisht mbi përhapjen e lajmeve të rreme e të një varieteti të gjerë konspiracionesh, ka të ardhura që vlerësohen në qindra milionë dollarë. Dhe duke pasur parasysh se një perandori e tillë është ngritur dhe funksionon vetëm mbi një produkt, teorite konspirative dhe lajmet e rreme, ngjarja sjell detyrimisht në vështrim rolin e së vërtetës dhe fakteve në funksionimin e shoqërisë së sotme moderne në SHBA, si edhe, sadoqë në një shkallë më të vogël, në vende të tjera të zhvilluara.

Më e pakta që mund të thuhet është se Jones dhe ndjekësit e tij të shumtë nga njera anë dhe organet e drejtësisë nga ana tjetër, operojnë në plane të ndryshme të së vërtetës.

Në episodin e mirënjohur të përshkruar në Ungjillin sipas Gjonit (1) Pilati e pyet Jezusin, të cilin ia kanë sjellë për ta gjykuar: ''Ti, pra, qenke mbret?''.  Dhe Jezusi përgjigjet: "Ti thua se unë jam mbret, për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën; kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim." Pilati vazhdon: ''Ç'është e vërteta?" e më pas del e u thotë judenjve: ''Nuk gjej asnjë faj tek ai''.

Jezusi dhe Pilati flasin këtu gjuhë të ndryshme, por jo në kuptimin e zakonshëm të gjuhës si mjet komunikimi, sepse me siguri dialogu ishte në aramaisht ose latinisht. Por është përdorimi i gjuhës që i dallon ata kryekëput: Jezusi po predikon, ndërsa Pilati po gjykon. Jezusi flet për të Vërtetën (me V të madhe, pra në kuptimin filozofik), në një kohë kur Pilati kërkon të përqendrohet tek ana praktike e çështjes. Bile duket se ky mezi pret të shpëtojë nga bezdia e atij procesi krejt të kotë, siç del nga pyetja plot qesëndi se "çfarë është e vërteta". Mënyrat e tyre të të menduarit s'kanë kësisoj asnjë pikë takimi.

Ngjashmërisht me këtë episod mund të përshkruhen edhe efektet e përplasjes së kulturës së sotme politike amerikane me gjykatat apo organet e drejtësisë në përgjithësi. Pjesëmarrësit në përplasje të tilla, si kjo e Alex Jones së fundi, flasin gjuhë të ndryshme në kuptimin e përdorimit të saj në mënyra të ndryshme. Kështu drejtësia përqendrohet tek kuptimi bazë i fjalëve dhe frazave d.m.th. nëse ato shenjojnë fakte apo opinione, nëse duhen marrë literalisht, pra "fjalë për fjalë" apo në mënyrë figurative, etj. Ky kuptim është thelbësor për gjykatën, sidomos në një rast të tillë që lidhet me veprën penale të shpifjes: diçka mund të jetë shpifje vetëm nëse është e pavërtetë, pra faktikisht e gabuar. Me fjalë të tjera krejt procesi i gjykimit merret me analiza të tilla dhe bazohet në atë që fjalët kanë kuptime të përcaktuara dhe specifike.

Mirëpo kultura politike moderne amerikane është larguar së tepërmi nga mbështetja në fakte dhe gjendet sot e bazuar pothuaj tërësisht mbi emocione. Gjuha përdoret sot nga kjo kulturë në mënyrë tepër krijuese, ashtu si notat nga muzikanti apo goditjet e penelit nga piktori impresionist. Kjo kulturë u krijon tipave si Alex Jones kushtet më optimale për të shfryrë në ekran revoltën ndaj qeverisë sepse ajo p.sh. "hedh në rrjetet e ujit të pijshëm kimikate që i kthejnë bretkosat në homoseksuale".  E po ashtu edhe politikanëve si kongresistet Marjorie Taylor Greene apo Lauren Boebert për të mbushur eterin me lloj-lloj marrëzish në Twitter e në media të tjera sociale. Kësisoj gjuha e politikanëve apo ekspertëve e konspiracionistëve alla-Jones e humbet pothuaj krejtësisht funksionin e përcjelljes së fakteve nëpërmjet fjalësh me kuptime specifike dhe reduktohet vetëm në përcjellje ndjenjash dhe qendrimesh.

Ish-presidenti Trump ishte dhe vazhdon të jetë, një nga lëvruesit më efektivë të kësaj lloj gjuhe të palidhur me faktet e të pakushtëzuar prej tyre, siç dëshmojnë fjalimet e tij të shumta. Në to gjenden pak pohime faktuale, por nga ana tjetër shfryrjet e zemërimit e të inatit janë me bollëk dhe zgjasin me orë të tëra.

E megjithatë e vërteta ekziston, e vërteta ka rëndësi. Edhe nëse emisionet e Alex Jones e të shumë të tjerëve si ai (fort të pranishëm edhe në mediat shqiptare) janë delire mendjesh apo vullnetesh të sëmura, ato kanë efekte në botën reale. Sepse kurdoherë ka e do të ketë njerëz, që jo vetëm i marrin ato delire si të vërteta, që do të ishte gjysma e së keqes, por edhe veprojnë sikur ato të ishin të tilla. Këtë dëshmuan prindët e fëmijëve të vrarë, ndërsa tregonin shembuj të hidhur e pikëllues të ngacmimeve ndaj tyre të nxitura nga fantazitë e përhapura nga Jones. Dhe një shoqëri ku fjalët janë të papërgjegjshme, ku gjuha shërben vetëm për t'i hedhur kundërshtarit sa më shumë baltë, është e zorshme të qeveriset.

Problemi i madh që shtrohet sot në kulturën politike amerikane (përkatesisht në tërë botën Perëndimore) është se as gjykatat s'janë të pajisura mirë për t'u marrë me tipa si Alex Jones, po as këta nga ana e tyre s'janë të aftë të merren me gjykatat. Kjo, u pa qartë nga dëshmia katastrofike e kryekonspiracionistit tonë kur u mbrojt ne gjyq. Jones u përpoq ta vendosë diskursin bombastik brenda kornizave së ligjit, duke shfrytëzuar dallimin midis faktit dhe opinionit. Mirëpo kjo është e pakuptimtë në këtë rast, sepse ai kurrë s'i përdor fjalët në këtë mënyrë. Po të kish qenë i sinqertë (koncept krejtësisht i huaj për të), ky provokator i klasit të parë mund ta kish pranuar se përdorimi i fjalëve prej tij ka si funksion të vetëm shprehjen e zemërimit dhe revoltës, d.m.th. të thoshte "unë thjesht dal para mikrofonit dhe deklaroj atë që ndjej".

Në këtë kuptim ideja se Sandy Hook ishte një mashtrim s'është veçse një artific fjalësh, një mënyrë për të përcjellë zemërimin dhe revoltën e paepur ndaj politikës, ndaj mediave dhe ndaj vetë modernitetit. T'i kërkosh Jones ta mbrojë faktikisht atë artific, apo tërë diskursin e tij, do të ishte njëlloj sikur t'i kërkoje piktorit impresionist të mbronte domosdoshmërinë logjike të kësaj apo asaj lëvizjeje të penelit.

Tashti, duhet padyshim që Jones të mbahet përgjegjës për pasojat e fjalëve të tij. Ai përdori pohime faktikisht të rreme për të ndërtuar artificin (ose më mirë katrahurën) e tij, dhe ato pohime të rreme patën pasoja të dëmshme për shumë njerëz. Megjithatë në atmosferën e sotme është zor të thuhet se dënimi i tij, sado i rëndë dhe i argumentuar mirë, do mund të shërbejë si pengesë ndaj përhapjes së mëtejshme të konspiracioneve e marrëzive të tilla.

Dhe për mendimin tim pikërisht këtu qendron thelbi i problemit. Jones është jashtëzakonisht i suksesshëm në ligësinë e tij për arsyen e thjeshtë, që një masë e madhe njerëzish e pëlqejnë atë, duan të konsumojnë artificet e tij prej fjalësh, sado të shëmtuara të jenë. Materialet e tij plot urrejtje, frikë e mosbesim, duket që gjejnë jehonë tek një numër jo i vogël amerikanësh. Audienca dhe admiruesit e tij që e gëlltitën tërësisht sajesën konspirative për Sandy Hook nuk e bënë se ajo ishte faktikisht bindëse dhe koherente. Atyre u pëlqeu gjendja emocionale e përcjellë nga ajo sajesë, pikërisht sepse përputhej me të tyren. Arsyetimet logjike apo juridike, sado të detajuara e të argumentuara të jenë, janë të pamjaftueshme për t'u ndryshuar mendjen.

Vetëm në këtë vështrim të përdorimit të gjuhës në plane të ndryshme mund të kuptohet dhe vendosmëria me të cilën shumë përkrahës të Donald Trump deklarojnë se "ai s'ka genjyer kurrë, për asgjë". Kjo s'do të thotë aspak se deklaruesi vërtet beson se Trump s'ka bërë kurrë pohime të rreme, të pambështetura në fakte, por vetëm se për deklaruesin përputhja me faktet s'është fare e rëndësishme për të gjykuar mbi vërtetësine e atyre pohimeve. Për sa kohë që Trump, me ato që thotë, përcjell ndjenja e emocione që pasqyrojnë ato të deklaruesit, ky i fundit mund të shprehet me ndërgjegje të pastër se lideri i tij kurrë s'ka thënë ndonjë gjë të rreme.

Paditë për shpifje si kjo e Alex Jones, ose si ajo e kompanisë Dominion kundër Sidney Powell (2), janë padyshim të drejta dhe viktimave sigurisht që u takon të marrin kompensim, por ato nuk e zgjidhin problemin. Kjo sepse shoqëria dhe sistemi amerikan mund t'u rezistojë demagogëve si të tillë, mirëpo është audienca e tyre ajo që përbën rrezikun më të madh për atë sistem.

Demokracia në fakt nuk ofron ndonjë mënyrë për t'u ndrequr e për t'u ripërtërirë vetvetiu nëse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nuk e dëshiron më atë si mënyrë qeverisjeje (për arsye nga më të ndryshmet) dhe është e gatshme të lerë fatet e saj në duart e demagogut populist, apo shpëtimtarit të çastit. Amerika duket sikur po i qaset mjaft pranë kësaj pike, e megjithatë shpresa mbetet që një masë e tillë kritike votuesish të mos arrihet kurrë.

©Ernest Nasto

=================

(1) Bibla, Ungjilli sipas Gjonit, 18:37-38

(2) Sidney Powell ishte një nga avokatet më prominente të fushatës së Trump për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të 2020 dhe është paditur për shpifje nga kompania Dominion, prodhuese e makinave të votimit elektronik, ndaj të cilave ajo bëri një sërë akuzash të çuditshme.