Andej-Këtej

Donald Trump shkon drejt 4 Korrikut me një seri suksesesh - Nga Ruben Avxhiu

Nga: Ruben Avxhiu

Para nja tre muajsh u duk se presidenca e tij po merrte tatëpjetën me luhatjet e tregjeve të shkaktuara nga lëvizjet e paparashikuara me tarifat, vëmendjen e shkurtër të Shtëpisë së Bardhë nga një temë ndërkombëtare në tjetrën dhe bllokimin e një numër vendimesh nga gjykatat federale.

Mirëpo në pak ditë, Presidenti Trump dhe Administrata e tij:

- Detyruan aleatët e NATO-s të vendosin rritjen e shpenzimeve ushtarake deri në 5% të GDP-së, ndonëse për shumë vite me radhë refuzonin ta çonin deri në 2%.

- Ndërmjetësuan duke vendosur paqen mes dy vendeve në Afrikë.

- Detyruan Izraelin dhe Iranin të ndalonin shkëmbimet e sulmeve ajrore.

- Bombarduan me sukses qendrat bërthamore të Iranit që po kryenin pasurimin e paligjshëm të uraniumit duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

- Arritën që një numër vendesh, ndër të cilat Kina dhe Kandaja, të pranonin kushtet e reja të tregëtisë dypalëshe.

- Fituan betejën me gjykatësit federalë në Gjykatën Supreme.

- Rezultate rekord në bursë.

- Hyrjet e paligjshme nga kufiri llogariten të jenë zvogëluar me 93%.

Synimi është që ta kurorëzojë këtë edhe me paketën e re financiare dhe ekonomike, që po shqyrtohet nga Kongresi, ku ka nisur përsëri përplasjen me ish-aleatin e tij Elon Musk.

Bosi i Tesla-s dhe i një numri të madh të kompanive teknologjike ka përsëritur publikisht kërcënimin se do të rrëzojë nga posti në zgjedhjet e ardhshme çdo anëtar Kongresi, kryesisht republikan që ka premtuar të shkurtojë buxhetin por që do të votojë për një Paketë Ekonomike që ia rrit borxhin e jashtëm Amerikës.

Senatorët sot duhet të zgjidhnin mes dy njerëzve të fuqishëm: Trump ose Musk.

I pyetur nga gazetarët, sot në mëngjes, Trump iu kthye temës se Musk nuk e ka hallin e borxhit të jashtëm amerikan por të lehtësive financiare që kanë gëzuar veturat e tij elektrike në sajë të fondeve nga qeveria amerikane. Ai tha se Musk ka marrë kaq shumë fonde, saqë mbase duhen parë kontratat e tij për të gjetur shkurtimet që kërkon për buxhetin. Duke iu referuar “DOGE” komitetit që formoi vetë Musk për të shkurtuar shpenzimet e tepërta në qeveri, Trump tha: “Mbase DOGE do të bëhet monstra që do të hajë edhe vetë Elonin”.

Senati sapo e aprovoi paketën ekonomike. Sipas ligjit, kur votimi është 50-50, si në këtë rast, votën fituese e jep zëvendëspresidenti i SHBA dhe JD Vance sapo ia dha voten fituese paketës së presidentit Trump.

Tani e ka radhën sërish Dhoma e Përfaqësuesve për të votuar versionin e ri me ndryshimet e Senatit.

Raundi 2 i përplasjes Trump-Musk sapo ka filluar. Musk ka kërcënuar se do të themelojë partinë e tretë të madhe amerikane “Partinë Amerika”. Po duke parë se si është duke i ecur fati këto javë presidentit Trump, Musk do t'i duhet të vendosë se deri në çfarë pike është gati të hakmerret e të rrezikojë gjithshka. (Musk me siguri po mban emrat shënim në "librin e tij te zi".)

© Ruben Avxhiu